Gabor Cselle, ish-CEO dhe bashkëthemelues i Pebble, platformë që sfidoi X (Twitter), i është bashkuar OpenAI për një projekt të fshehtë. Sipas profilit të tij në LinkedIn, Cselle ka filluar punën që në tetor, ndërsa lajmin e njoftoi publikisht dje përmes një postimi në X, ku u shpreh: “Do të ndaj më shumë rreth projektit në kohën e duhur,” dhe shtoi se “ka shumë për të mësuar.”
Cselle është një sipërmarrës me përvojë, që ka themeluar disa kompani të suksesshme. Ai shiti startup-in e tij të parë, reMail, një aplikacion mobil për email, te Google. Kompania e tij e dytë, Namo Media, që ofronte reklama të natyrshme, u shit te Twitter përpara se Elon Musk ta ribrandonte rrjetin social si X. Rreth një dekadë më parë, Cselle ka punuar gjithashtu te Twitter si menaxher produkti për përvojat kryesore të përdoruesve.
Pas një periudhe si drejtor në inkubatorin e projekteve inovative Area 120 në Google, Cselle bashkëthemeloi Pebble në 2022 me Michael Greer, ish-kreu i inxhinierisë në Discord. Platforma, fillimisht e quajtur T2, kishte në qendër sigurinë dhe moderimin. Pavarësisht një komuniteti të angazhuar, Pebble nuk arriti rritjen e pritur dhe u mbyll në tetor të vitit të kaluar, duke u rikthyer si një komunitet në Mastodon në nëntor.
Punësimi i Cselle nga OpenAI ndodhi në të njëjtën fundjavë kur rivali i OpenAI, Anthropic, rekrutoi Alex Rodrigues, themeluesin e kompanisë së kamionëve autonomë Embark. Rodrigues, i cili udhëhoqi Embark në një marrëveshje SPAC në 2021 dhe më vonë te shitja e saj te Applied Intuition, konfirmoi se do t’i bashkohet Anthropic si studiues për sigurinë e AI-së, duke përforcuar garën mes dy kompanive kryesore në inteligjencën artificiale.