Të paktën 27 persona humbën jetën në një zjarr që shpërtheu në një lokal në Bangkok, njoftoi kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul. Zjarri filloi rreth mesnatës në lokalin ‘Rong Beer Na Lat Phrao’ në distriktin Chatuchak, një zonë e njohur për restorante dhe argëtim.
Pamjet tregojnë flakë që dilnin nga hyrja ndërsa klientët iknin me vrap, disa duke bërtitur e duke rënë. Të paktën dy persona u panë të përfshirë nga flakët. Zjarrfikësit arritën pak pas mesnate dhe e vunë zjarrin nën kontroll për rreth gjysmë ore, por brenda lokalit gjithçka ishte djegur plotësisht.
Kryeministri foli me një muzikant që po performonte kur filloi zjarri. Sipas tij, zjarri nisi nga një ndërprerës elektrik dhe u përhap me shpejtësi. Shumë njerëz u përpoqën të fshiheshin në tualet në pjesën e pasme të ndërtesës, ku u gjetën shumica e trupave.
Një shofer që kaloi aty pa lokalin në flakë rreth orës 23:30 dhe ndihmoi duke thyer dritaret për të shpëtuar dy persona. Autoritetet konfirmojnë se disa persona janë ende të zhdukur, ndërsa hetimet për shkakun e zjarrit vazhdojnë.